Fragmente nga
Tabela e Ridván-it
Festa e Ridván-it [Rizvan], 21 prill - 2 maj, përkujton Deklarimin e Misionit të Bahá'u'lláh-ut pasuesve të Tij. Bahá'u'lláh-u e shpalli atë si "Mbretin e Festave", dhe i referohet asaj në Kitab-i Akdas si Dita në të cilën "të gjitha gjërat e krijuara u zhytën në detin e pastrimit".
Pranvera Hyjnore ka ardhur, O Penda Më e Lavdëruar, sepse Festimi i Mëshirëplotit po afrohet me shpejtësi. Çohu dhe lartëso para gjithë krijimit emrin e Perëndisë, dhe thuri lavde Atij në mënyrë që të gjitha gjërat e krijuara të rigjenerohen e përtërihen. Fol e mos pusho. Ylli i ditës i lumturisë shkëlqen mbi horizontin e emrit Tonë, Fatlumit, sepse mbretëria e emrit të Perëndisë është stolisur me ornamentin e emrit të Zotit Tënd, Krijuesit të qiejve. Çohu para kombeve të tokës dhe armatosu me fuqinë e këtij Emri Më të Madh, dhe mos ji ndër ata që vonojnë…
Kjo është Dita, në të cilën bota e padukshme thërret: "I madh është bekimi yt, O tokë, sepse ti je bërë këmbëmbështetësja e Perëndisë Tënd dhe je zgjedhur si selia e fronit të Tij të fuqishëm." Mbretëria e lavdisë thërret: "U flijoftë jeta ime për ty, sepse Ai Që është i Shumëdashuri i Mëshirëplotit ka vendosur sovranitetin e Tij mbi ty, përmes fuqisë së Emrit të Tij, që u është premtuar të gjitha gjërave, qoftë të së shkuarës ose të së ardhmes."…
I Shumëdashuri ka ardhur. Në dorën e djathtë të Tij është Vera e vulosur e emrit të Tij. Lum njeriu që kthehet nga Ai, pi pjesën e vet dhe thërret "Lavdia qoftë me Ty, O Revelues i shenjave të Perëndisë!" Për drejtësinë e të Gjithëfuqishmit! Çdo gjë e fshehur është shfaqur përmes fuqisë së të vërtetës. Të gjitha favoret e Perëndisë janë dërguar si shenjë e mirësisë së Tij. Të gjitha ujërat e jetës së amshueme u janë ofruar njerëzve. Çdo kupë është çuar përqark nga dora e të Shumëdashurit. Afrohuni e mos ngurroni as edhe për një çast të vetëm…
Gëzohuni me ngazëllim të paparë, O njerëz të Bahá-it, ndërsa sillni ndërmend Ditën e lumturisë supreme, Ditën kur Gjuha e të Lashtit të Kohëve ka folur, ndërsa largohej nga Shtëpia e Tij për të shkuar në Vendin prej ku Ai lëshoi mbi gjithë krijimin vezullimet e emrit të Tij, Mëshirëplotit. Perëndia Na është dëshmitar. Sikur Ne të revelonim sekretet e fshehura të asaj Dite, të gjithë ata që jetojnë mbi tokë dhe në qiej do të humbnin ndjenjat e do të vdisnin, me përjashtim të atyre që do t'i ruante Perëndia, i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdijshmi, Urtiploti…