Tabela e Ahmad-it

Kjo Tabelë u vesh prej Bahá'u'lláh-ut me fuqi e rëndësi të posaçme.

Ai është Mbreti, i Gjithëdijshmi, i Urti! Ja, Bilbili i Parajsës këndon mbi degët e Pemës së Përjetësisë, me melodi të shenjta e të ëmbla, duke u shpallur të sinqertëve lajmet e gëzuara të afrisë së Perëndisë, duke i ftuar besimtarët e Unitetit Hyjnor në oborrin e Pranisë së Zemërgjerit, duke informuar të shkëputurit për mesazhin e reveluar nga Perëndia, Mbreti, i Lavdishmi, i Pashoqi, duke i udhëhequr të dashurit te vendi i shenjtërisë dhe te kjo Bukuri e shndritshme.

Me të vërtetë kjo është Bukuria Më e Madhe, e parashikuar në Librat e Lajmëtarëve, përmes së Cilës e vërteta do të dallohet nga gabimi dhe urtia e çdo urdhëri do të provohet. Me të vërtetë, Ai është Pema e Jetës që jep frytet e Perëndisë, të Lartësuarit, të Pushtetshmit, të Madhit.

O Ahmad! Dëshmo se me të vërtetë Ai është Perëndia dhe se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Mbretit, Mbrojtësit, të Pakrahasueshmit, Fuqiplotit. Dhe se Ai të Cilin e ka dërguar me emrin 'Alí* ishte me të vërtetë nga Perëndia, urdhërave të të Cilit u përmbahemi të gjithë.

Thuaj: O njerëz, bindjuni urdhërave të Perëndisë, që na jepen në Bajan-in nga i Lavdishmi, i Urti. Me të vërtetë, Ai është Mbreti i Lajmëtarëve dhe Libri i Tij është Libri Mëmë, që ta dini.

Kështu Bilbili jua shprehu juve thirrjen e Tij nga ky burg. Ai duhej vetëm të lëshonte këtë mesazh të qartë. Kush dëshiron le t'i kthejë shpinën kësaj këshille dhe kush dëshiron le të zgjedhë rrugën për te Zoti i tij.

O njerëz, në qoftë se i mohoni këto vargje, me çfarë prove keni besuar te Perëndia? Tregojeni këtë, O grumbull hipokritësh.

Jo, për Atë që ka në dorë shpirtin tim, ata nuk janë, dhe kurrë nuk do të jenë, në gjendje ta bëjnë këtë, edhe sikur të merreshin vesh për të ndihmuar njëri-tjetrin.

O Ahmad! Mos i harro bujaritë e mia, në kohën që Unë mungoj. Kujto ditët e Mia gjatë ditëve të tua, dhe fatkeqësinë e mërgimin Tim në këtë burg të largët. Dhe qofsh ti aq i patundur në dashurinë për Mua, saqë zemra jote të mos dridhet edhe sikur shpatat e armiqve të të japin breshëri goditjesh dhe gjithë qielli e toka të ngrihen kundër teje.

Qofsh si flaka e zjarrit për armiqtë e Mi dhe një lumë i jetës së përhershme për të dashurit e Mi, dhe mos ji ndër ata që dyshojnë.

Dhe në qofsh mposhtur nga vuajtjet në rrugën Time, ose poshtëruar për hatrin Tim, mos u shqetëso për këtë.

Ki besim te Perëndia, Perëndia Yt dhe Zoti i etërve të tu. Sepse njerëzit po enden në rrugët e zhgënjimit, të privuar nga aftësia për të parë Perëndinë me sytë e vet, ose për të dëgjuar Melodinë e Tij me veshët e tyre. Të tillë i pashë Unë ata, siç dëshmon gjithashtu edhe ti.

Kështu, bestytnitë që ata kanë janë bërë perde midis tyre dhe zemrave të tyre, dhe i mbajnë ata larg rrugës së Perëndisë, të Lartësuarit, të Madhit.

Të jesh i sigurt në veten Tënde se, me të vërtetë, ai që largohet nga kjo Bukuri është larguar, gjithashtu, nga Lajmëtarët e së Shkuarës dhe tregon krylartësi ndaj Perëndisë nga tërë përjetësia në tërë përjetësinë.

Mësoje mirë këtë Tabelë, O Ahmad. Këndoje atë gjatë ditëve të tua dhe mos u ndaj prej saj. Sepse me të vërtetë, Perëndia ka caktuar për atë që e këndon shpërblimin e njëqind martirëve dhe shërbime në të dy botët. Këto favore t'i kemi dhuruar ty, si bujari nga ana Jonë dhe si mëshirë nga prania Jonë, që ti të jesh ndër ata që janë mirënjohës.

Për Perëndi! po qe se ndokush që është i brengosur ose i hidhëruar do ta lexojë këtë Tabelë me sinqeritet absolut, Perëndia do t'ia heqë trishtimin, do t'i zgjidhë vështirësitë e tij dhe do t'ia largojë vuajtjet.

Me të vërtetë, Ai është i Mëshirshmi, i Dhembshuri. Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i të gjitha botëve.

Bahá'u'lláh