Lavdërim dhe Mirënjohje
Të gjitha lavdërimet, O Perëndia im, qofshin mbi Ty që je burimi i çdo lavdie e madhështie, madhërie e nderimi, sovraniteti e sundimi, lartësimi e mirësie, frike e pushteti. Cilindo që Ti dëshiron e afron pranë Oqeanit Më të Madh dhe cilitdo që Ti dëshiron i jep nderin që të njohë Emrin Tënd Më të Lashtë. Nga të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë, askush nuk mund t'i qëndrojë veprimit Të Vullnetit Tënd sovran. Nga përjetësia Ti ke qeverisur gjithë krijimin dhe do të vazhdosh përgjithmonë të ushtrosh sundimin Tënd mbi të gjitha gjërat e krijuara. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Gjithëfuqishmit, Më të Lavdëruarit, të Gjithëpushtetshmit, Urtiplotit.
Ndriçoji, O Zot, fytyrat e shërbëtorëve të Tu, që ata të të shohin Ty; që duke pastruar zemrat e Tyre të hyjnë në oborrin e favoreve të Tua qiellore, dhe të njohin Atë që është Manifestimi i Vetes Sate dhe Agimi i Thelbit Tënd. Me të vërtetë, Ti je Zoti i të gjitha botëve. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Padetyruarit, Gjithënënshtruesit.
O Perëndi zemërdhembshur! Të falënderoj, sepse Ti më ke hapur sytë e më ke bërë të ndërgjegjshëm. Ti më ke dhënë sy që të shikoj e më ke dhuruar veshë që të dëgjoj, më ke çuar në udhën e mbretërisë Sate dhe më ke treguar shtegun Tënd. Ti më ke rrëfyer rrugën e drejtë dhe më ke futur në Arkën e Shpëtimit. O Perëndi! Më mbaj të patundur dhe më bëj të qëndrueshëm e të vendosur. Më mbro nga sprovat e dhunshme dhe më ruaj e më streho në fortesën e pamposhtur të Besëlidhjes e të Testamentit Tënd. Ti je i Pushtetshmi. Ti je Shikuesi. Ti je Dëgjuesi.
O Ti Perëndi Zemërdhembshur! Më dhuro një zemër që, si pasqyrë, të ndriçohet nga drita e dashurisë Sate dhe më jep mendime që mund ta shndërrojnë këtë botë në një kopësht trëndafilash përmes zbritjes së hirit qiellor.
Ti je Zemërdhembshuri, i Mëshirshmi. Ti je Perëndia i Madh Mirëbërës.