Kontributet për Fondins

Të gjithë miqtë e Perëndisë… duhet të kontribuojnë sa të kenë mundësi, sado modeste qoftë oferta e tyre. Perëndia nuk e ngarkon njeriun tej asaj që ky ka mundësi. Kontribute të tilla duhet të vijnë nga të gjitha qendrat e nga të gjithë besimtarët…O miq të Perëndisë! Të jeni të sigurt se, pas këtyre kontributeve, bujqësia juaj, industria dhe tregtia juaj do të bekohen me rritje të shumëfishta, me dhunti e dhurata të mëdha. Ai që vjen me një vepër të mirë do të marrë shpërblim të dhjetëfishtë. Nuk ka dyshim që Zoti i gjallë do t'i mbështesë pakursim ata që shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugën e Tij.

O Perëndi, Perëndia im! Ndriçoje ballin e të dashurve të Tu të vërtetë dhe ndihmoji ata me ushtritë engjëllorë të triumfit të sigurt. Vendose fort këmbën e tyre në rrugën Tënde të drejtë dhe me bujarinë Tënde të lashtë hapi para tyre portat e bekimeve të Tua; sepse ata po shpenzojnë në rrugën Tënde ato që Ti u ke dhuruar, duke ruajtur Besimin Tënd, duke besuar në kujtimin Tënd, duke ia ofruar zemrat dashurisë për Ty dhe duke mos e mbajtur atë që zotërojnë, nga adhurimi për Bukurinë Tënde, në kërkim të rrugëve për të të kënaqur Ty.

O Zoti im! Urdhëro që ata të marrin me bollëk, të kenë një kompensim të paracaktuar dhe një shpërblim të sigurt.

Me të vërtetë, Ti je Mbështetësi, Ndihmuesi, Zemërgjeri, Bujari, Gjithmonëdhënësi.

'Abdu'l-Bahá

Huqúqu'lláh-u

I Madhërishëm je Ti, O Zot i të gjithë Krijimit, Ai tek i Cili duhet të kthehet gjithçka. Me gjuhët e mia të brendshme dhe të jashtme, Unë dëshmoj se Ti e shfaqe dhe e zbulove veten Tënde, i dërgove këtu poshtë mrekullitë e Tua, dhe i shpalle dëshmitë e Tua. Unë dëshmoj për vetëmjaftueshmërinë Tënde nga të gjithë të tjerët, me përjashtim të Vetes Sate dhe për shenjtërinë Tënde mbi gjithçka tokësore. Unë të lutem Ty që për lavdinë qiellore të Kauzës Sate dhe për fuqinë supreme të Fjalës Sate t'ia japësh miratimin atij që dëshiron ta ofrojë atë që Ti përshkrove për të në Librin Tënd dhe të zbatosh atë që do ta përhapë aromën e pranimit Tënd. Në të vërtetë, Ti je Fuqiploti, i Miri, Falësi, Zemërgjeri.

Bahá'u'lláh

I lavdëruar je Ti, O Zoti im i dhembshur! Unë të lutem për vrumbullitjen e Oqeanit të të folurit Tënd të shenjtë, dhe për shenjat e shumta të Sovranitetit Tënd suprem, dhe për dëshmitë imponuese të Hyjnisë Sate, dhe për misteret e fshehura që qëndrojnë të mbuluara prej dijeve të Tua, më dhuro favorin që të të shërbej Ty e të zgjedhurve të Tu, dhe më bëj të aftë të të ofroj si duhet Huqúq-un Tënd, siç ke porositur Ti në Librin Tënd.

Unë jam ai, O Zoti im, që e ka vendosur dashurinë e vet në mbretërinë Tënde të lavdisë dhe është kapur fort pas cepit të zemërgjerësisë Sate. O Ti, që je Zoti i të gjitha qenieve dhe Sundimtari i mbretërisë së emrave, Unë të lutem të mos m'i mohosh gjërat që zotëron, as të mos më pengosh në atë që Ti ke urdhëruar për të zgjedhurit e Tu.

Unë të përgjërohem, O Zot i të gjithë emrave e krijues i qiejve, të më ndihmosh të jem i qëndrueshëm në Kauzën Tënde, përmes hirit Tënd forcues, në mënyrë që kotësitë e botës të mos më veçojnë si me një perde, as të mos më pengojnë rrëmujat e dhunshme të keqbërësve, të cilët janë ngritur në ditët e Tua për t'i çuar njerëzit në rrugë të shtrembër. Caktoje, pra, për mua, O Dëshira e zemrës sime, të mirën e kësaj bote dhe të botës që do të vijë. Me të vërtetë, Ti e ke në dorë të bësh atë që dëshiron. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Gjithmonëfalësit, Bujariplotit.

Bahá'u'lláh