Mbledhjet

O Ti zemërdhembshur, Ti i Gjithëfuqishmi! Ky grumbullim njerëzish i ka kthyer fytyrat ndaj Teje duke t'u lutur. Me përuljen e nënshtrimin më të madh, ata shohin drejt Mbretërisë Sate dhe të luten Ty për ndjesë e falje. O Perëndi! Afroji këta pranë Vetes Sate. Shenjtëroji këta njerëz dhe lësho mbi ta rrezet e udhërrëfimit Tënd. Ndriçoji zemrat e Tyre dhe gëzoji shpirtrat e tyre me lajmet e Tua të gëzuara. Merri ata të gjithë në Mbretërinë Tënde të Shenjtë, lësho mbi ta bujarinë Tënde të pashtershme, bëji ata të lumtur në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

'Abdu'l-Bahá

O Perëndi! Me të vërtetë, ne jemi mbledhur këtu në aromën e dashurisë Sate. Ne e kemi kthyer fytyrën ndaj Mbretërisë Sate. Ne nuk kërkojmë asgjë veç Teje dhe nuk dëshirojmë asgjë veç asaj që të jep kënaqësi Ty. O Perëndi! Le të jetë ky ushqim mana Jote që bie nga qielli, dhe bëj që ky grumbullim të jetë një grupim i qenieve të Tua supreme. Qofshin ata shkak i ngjalljes së dashurisë për njerëzimin dhe burim ndriçimi për gjininë njerëzore. Qofshin ata mjete të udhërrëfimit Tënd mbi tokë. Me të vërtetë, Ti je i Pushtetshmi, Ti je Dhuruesi, Ti je Falësi dhe Ti je Fuqiploti!

'Abdu'l-Bahá

O Providencë Hyjnore! Ky kuvend përbëhet prej miqve të Tu, që i ka tërhequr bukuria Jote dhe janë ndezur nga zjarri i dashurisë Sate. Ktheji këta njerëz në engjëj qiellorë, ringjalli ata me anë të frymës së Shpirtit Tënd të Shenjtë, jepu atyre gjuhë elokuente dhe zemra të vendosura, dhuroju atyre pushtet qiellor dhe ndjenja shpirtdhembshurie, bëji ata përhapës të njëshmërisë së gjinisë njerëzore dhe nxitje për dashuri e harmoni në botën e njerëzimit, në mënyrë që errësira e rrezikshme e paragjykimit injorant të zhduket nëpërmjet dritës së Diellit të së Vërtetës, kjo botë e zymtë të ndriçohet, kjo mbretëri materiale të thithë rrezet e botës së shpirtit, këto ngjyra të ndryshme të shkrihen në një ngjyrë dhe melodia e lavdërimit të ngrihet në mbretërinë e shenjtërisë Sate.

Me të vërtetë, Ti je i Gjithëpushtetshmi e Fuqiploti!

'Abdu'l-Bahá

Sa herë që një grup njerëzish do të mblidhen në një vend takimi, do të lartësojnë Perëndinë dhe do të flasin me njëri-tjetrin për misteret e Perëndisë, pa pikë dyshimi frymëmarrja e Shpirtit të Shenjtë do të dihasë butësisht mbi ta, duke i dhënë secilit pjesën e vet.
'Abdu'l-Bahá
Përmbledhje nga Shtëpia Universale e Drejtësisë për "Mbledhjet Bahá'í"