Ndjesa

(Lutje nga i nënti Lajm i Gëzuar i Bahá'u'lláh-ut)

…Rrëfimi i mëkateve e i gabimeve para qenieve njerëzore nuk është i lejueshëm,…Mëkatari duhet që, midis vetes së tij dhe Zotit, të kërkojë mëshirë nga Oqeani i mëshirës, të lypë ndjesë nga Qielli i zemërgjerësisë dhe të thotë:

O Perëndi, Perëndia im! Unë të lutem Ty, për gjakun e të dashurve të Tu të vërtetë, aq të magjepsur nga fjala Jote e ëmbël, sa që kanë nxituar drejt Majës së Lavdisë, vendit të martirizimit më të lavdishëm, të kërkoj Ty, për misteret që fshihen në dijet e Tua dhe për margaritarët që ruhen në oqeanin e bujarisë Sate, të më dhurosh ndjesë mua dhe atit tim e nënës sime. Me të vërtetë, Ti je Më i Mëshirshmi nga ata që tregojnë mëshirë. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Gjithmonëfalësit, Bujariplotit.

O Zot! Ti e sheh këtë thelb të mëkatit që kthehet drejt oqeanit të favorit Tënd, dhe këtë të dobët që kërkon mbretërinë e pushtetit Tënd hyjnor, dhe këtë krijesë të mjerë që priret drejt yllit të ditës të pasurisë Sate. Për mëshirën dhe hirin Tënd, mos e zhgënje, O Zot, mos e privo atë nga revelacionet e bujarisë Sate në ditët e Tua, as mos e largo nga porta Jote, që Ti ua ke hapur të gjithë atyre që banojnë në qiellin Tënd e mbi tokën Tënde.

Sa keq! Sa keq! Mëkatet e mia më kanë penguar t'i avitem Oborrit të shenjtërisë Sate dhe gabimet e mia më kanë bërë t'i largohem Faltores së madhërisë Sate. Unë kam bërë atë që Ti ma ke ndaluar dhe kam lënë pasdore atë që Ti më ke urdhëruar të zbatoj.

Të lutem Ty, për Atë që është Zoti sovran i Emrave, të shkruash për mua me Pendën e bujarisë Sate atë që do të më bëjë të aftë të avitem pranë Teje, dhe do të më pastrojë nga gabimet e mia, që kanë ndërhyrë midis meje dhe ndjesës Sate.

Me të vërtetë, Ti je i Pushtetshmi, Bujari. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Fuqishmit, të Hirshmit.

Bahá'u'lláh

Lëvduar qofsh Ti, O Zot. Na i fal mëkatet tona, ki mëshirë për ne dhe bëna të aftë të kthehemi drejt Teje. Bëna të mos mbështetemi në asgjë tjetër veç Teje dhe denjo të na japësh, përmes bujarisë Sate, atë që do dëshiroje Ti dhe që të vjen për mbarë Ty. Lartësoje pozitën e atyre që vërtet kanë besuar dhe fali ata me ndjesën Tënde të hirshme.

Me të vërtetë Ti je Ndihma në Rrezik, i Vetëqenëshmi.

Báb

O Perëndia im, O Zoti im, O Mjeshtri im! Unë të lutem të më falësh që kam kërkuar çfarëdolloj kënaqësie tjetër veç dashurisë Sate, ose çfarëdolloj rehatie veç afrisë Sate, ose çfarëdolloj kënaqësie veç pëlqimit Tënd, ose çfarëdolloj ekzistencë tjetër veç lidhjes me Ty.

Báb

O Ti Zot që fal! Ti je streha e të gjithë shërbëtorëve të Tu. Ti i di të fshehtat dhe i njeh të gjitha gjërat. Ne të gjithë jemi të pafuqishëm dhe Ti je i Fuqishmi, Ai që ka në dorë gjithçka. Ne të gjithë jemi mëkatarë, dhe Ti je Falësi i mëkateve, i Mëshirshmi, Zemërdhembshuri. O Zot! Mos i vër re të metat tona. Vepro me ne sipas dashamirësisë e bujarisë Sate. Të metat tona janë të shumta, por oqeani i ndjesës Sate është i pakufishëm. Dobësia jonë është e madhe, por faktet e ndihmës e të mbështetjes Sate janë të dukshme. Prandaj na përkrah e na forco. Na jep mundësi të bëjmë atë që është e denjë për Pragun Tënd të shenjtë. Ndriçoji zemrat tona, na dhuro sy që shohin e veshë të vëmendshëm. Ringjall të vdekurit dhe shëro të sëmurët. Jepu pasuri të varfërve dhe paqe e siguri atyre që kanë frikë. Pranona në mbretërinë Tënde dhe ndriçona me dritën e udhërrëfimit. Ti je Zemërgjeri. Ti je Zemërdhembshuri. Ti je i Miri.

'Abdu'l-Bahá