Tabela e Zjarrit

Tabelë e reveluar nga Bahá'u'lláh-u me titull "Qad-IÊtaraqua'l-Mukhliîún"

Në Emër të Perëndisë, Më të Lashtit, Më të Madhit.

Me të vërtetë zemrat e të sinqertëve janë djegur në zjarrin e ndarjes:

Ku është vezullimi i dritës së Fytyrës Sate,

O i Shumëdashuri i botëve?

Ata që janë pranë Teje janë braktisur në errësirën e vetmisë:

Ku është shkëlqimi i agimit të ribashkimit Tënd,

O Dëshirë e botëve?

Trupat e të zgjedhurve të Tu fërgëllojnë të shtrirë në shkretëtira të largëta:

Ku është oqeani i pranisë Sate,

O Magjepsës i botëve?

Duar gjithë lutje janë shtrirë drejt qiellit të hirit e të bujarisë Sate:

Ku janë shirat e blatimit Tënd,

O Zgjidhës i çështjeve të botëve?

Të pabesët janë ngritur me tirani nga çdo anë:

Ku është pushteti detyrues i pendës

Sate urdhëruese, O Pushtues i botëve?

Lehja e qenve dëgjohet qartë nga çdo anë:

Ku është luani i pyllit i fuqisë Sate,

O Ndëshkues i botëve?

Të ftohtët ka mbërthyer gjithë njerëzimin:

Ku është ngrohtësia e dashurisë Sate,

O Zjarr i botëve?

Mynxyra ka arritur kulmin:

Ku janë shenjat e ndihmës Sate,

O Shpëtim i botëve?

Errësira ka mbështjellë shumicën e popujve:

Ku është vezullimi i shkëlqimit Tënd,

O Ndriçim i botëve?

Qafat e njerëzve zgjaten me ligësi:

Ku janë shpatat e hakmarrjes Sate,

O Shkatërrues i botëve?

Rënia ka arritur thellësinë më të madhe:

Ku janë emblemat e lavdisë Sate,

O Lavdi e botëve?

Brengat kanë hidhëruar Reveluesin e Emrit Tënd, Mëshirëplotit:

Ku është gëzimi i Agimit të Revelacionit Tënd,

O Ngazëllim i botëve?

Ankthi ka mbërthyer gjithë popujt e tokës:

Ku janë shenjat e haresë Sate,

O Gëzim i botëve?

Ti e sheh Vendagimin e shenjave të Tua të mbuluar nga sugjerime djallëzore:

Ku janë gishtat e fuqisë Sate,

O Pushtet i botëve?

Një etje e madhe ka mposhtur të gjithë njerëzit:

Ku është lumi i bujarisë Sate,

O Mëshirë e botëve?

Lakmia ka pushtuar gjithë njerëzimin:

Ku janë mishërimet e shkëputjes,

O Zot i botëve?

Ti e sheh këtë të Munduar të vetmuar në mërgim:

Ku janë ushtritë e qiellit të Komandës Sate,

O Sovran i botëve?

Unë jam braktisur në tokë të huaj:

Ku janë emblemat e besnikërisë Sate,

O Besim i botëve?

Agonitë e vdekjes kanë mbërthyer gjithë njerëzit:

Ku është dallgëzimi i oqeanit Tënd

të jetës së amshueme, O Jetë e botëve?

Pëshpëritjet e Satanit i janë fryrë çdo krijese:

Ku është meteori i Zjarrit Tënd,

O Dritë e botëve?

Dehja e pasionit ka zvetënuar shumicën e njerëzimit:

Ku janë agimet e dëlirësisë,

O Dëshirë e botëve?

Ti e sheh këtë të Munduar të mbuluar nga tirania në mes të sirianëve:

Ku është rrezatimi i dritës Sate në agim,

O dritë e botëve?

Ti e sheh se Mua më ndalohet të flas:

Atëherë, nga do të burojnë meloditë e Tua,

O Bilbil i botëve?

Shumica e njerëzve janë mbështjellë nga fantazi e imagjinata të kota:

Ku janë shprehësit e sigurisë Sate,

O Siguri e botëve?

Bahá-i po mbytet në detin e vuajtjeve:

Ku është Arka e shpëtimit Tënd,

O Shpëtimtar i botëve?

Ti e sheh Agimin e fjalës Sate në errësirën e krijimit:

Ku është dielli i qiellit të hirit Tënd,

O Dritëdhënës i botëve?

Llambat e së vërtetës e të dëlirësisë, të besnikërisë e të nderit, janë shuar:

Ku janë shenjat e zemërimit Tënd hakmarrës,

O Lëvizës i botëve?

A nuk sheh Ti asnjë që ka luftuar për Veten Tënde, ose që sjell ndër mend çfarë i ka ndodhur Atij në shtegun e dashurisë Sate?

Tashmë Penda ime ndalon,

O i Shumëdashuri i botëve?

Degët e Pemës së Lotosit Hyjnor janë thyer prej erërave të rrëmbyeshme të fatit:

Ku janë flamujt e ndihmës Sate,

O Mbrojtës i botëve?

Kjo Fytyrë është mbuluar prej pluhurit të shpifjeve:

Ku janë flladet e dhembshurisë Sate,

O Mëshirë e botëve?

Rroba e shenjtërisë është njollosur prej njerëzve mashtrues:

Ku është veshja e shenjtërisë Sate,

O Stolisës i botëve?

Deti i mirësisë ka ngrirë prej asaj që kanë bërë duart e njerëzve:

Ku janë dallgët e bujarisë Sate,

O Dëshirë e botëve?

Dera që çon në Praninë Hyjnore është mbyllur nga tirania e armiqve të Tu:

Ku është kyçi i dhuntisë Sate,

O Hapës i botëve?

Gjethet janë zverdhur nga erërat helmuese të rebelimit:

Ku janë rrëketë e reve të mirësisë Sate,

O Dhënës i botëve?

Gjithësia është errësuar nga pluhuri i mëkatit:

Ku janë flladet e ndjesës Sate,

O Falës i botëve?

Ky i Ri është i vetmuar në këtë tokë të shkretë:

Ku është shiu i mirësisë Sate qiellore,

O Dhurues i botëve?

O Penda Më e Lartë, Ne kemi dëgjuar thirrjen Tënde më të ëmbël në mbretërinë e përjetshme:

Mbaj vesh e dëgjo ato që flet Gjuha

e Madhështisë, O i Munduari i botëve!

Po të mos ishte të ftohtët,

Si do të mbizotëronte nxehtësia e fjalëve të Tua,

O Sqarues i botëve?

Po të mos kishte fatkeqësi,

Si do të ndriçonte dielli i durimit Tënd,

O Dritë e botëve?

Mos u anko për të ligun.

Ti je krijuar të mbash e të durosh,

O Durim i botëve.

Sa i ëmbël ishte agimi Yt në horizontin e Besëlidhjes midis nxitësve të rebelimit,

dhe dëshira Jote e zjarrtë për Perëndinë,

O Dashuri e botëve.

Prej Teje flamuri i pavarësisë u vendos mbi majat më të larta,

dhe deti i bujarisë u dallgëzua,

O Magjepsje e botëve.

Me vetminë Tënde Dielli i Njëshmërisë ndriçoi,

dhe me mërgimin Tënd toka e Unitetit u stolis.

Ji i duruar,

O Ti i Mërguari i botëve.

Ne e kemi bërë poshtërimin veshjen e lavdisë,

dhe vuajtjen zbukurimin e ballit Tënd,

O Krenari e botëve.

Ti e sheh se zemrat janë mbushur me urrejtje,

por Ti i mbyll sytë ndaj kësaj,

O, Ti, Fshirës i mëkateve të botëve.

Kur shpatat vetëtijnë, shko përpara!

Kur shigjetat fluturojnë, sulu përpara!

O Ti Sakrificë e botëve.

A vajton Ti, apo të vajtoj unë? Më mirë të qaj unë se pak janë ata që luftojnë për Ty,

O Ti Që ke shkaktuar vajtimin e botëve.

Me të vërtetë, unë e kam dëgjuar Thirrjen Tënde, O i Shumëdashuri Lavdiplotë; dhe tani fytyra e Bahá-it përflaket nga nxehtësia e vuajtjeve dhe me zjarrin e fjalës Sate ndriçuese, dhe Ai është ngjitur me besnikëri në vendin e sakrificës, në pritje të pëlqimit Tënd, O Urdhërues i botëve.

O Ali-Akbar, falëndero Zotin tënd për këtë Tabelë, prej së cilës ti mund të nuhatësh aromat e butësisë Sime dhe të mësosh se ç'na ka ndodhur Neve në shtegun e Perëndisë, të Adhuruarit të të gjitha botëve.

Sikur të gjithë shërbëtorët ta lexojnë e të thellohen në të, në damarët e tyre do të ndizet një zjarr që do t'i përflakë botët.

Bahá'u'lláh