Tabela e Vizitimit Të 'Abdu'l-Bahá-it

Kjo lutje thuhet në Mauzoleun e 'Abdu'l-Bahá-it. Ajo përdoret gjithashtu në lutje private. 'Abdu'l-Bahá-i thotë:

"Cilido që e thotë këtë lutje me përunjësi e me zell do të sjellë gëzim e kënaqësi në zemrën e këtij Shërbëtori; madje do të jetë sikur ta ketë takuar Atë ballëpërballë."

Ai është Lavdiploti! O Perëndi, Perëndia im! I përunjur e me lot në sy, une i ngre duart me lutje drejt Teje dhe e mbuloj fytyrën në pluhurin e Pragut Tënd, të lartësuar mbi dijet e të gjithë të shkolluarve dhe mbi lavdërimin e të gjithë atyre që të thurin lavde Ty. Vështroje me dashamirësi shërbëtorin Tënd, kokulur e të përunjur në derën Tënde, me syrin e mëshirës Sate dhe zhyte atë në oqeanin e mirësisë Sate të përjetshme.

Zot! Ai është një shërbëtor i Yt i gjorë e i përunjur, i magjepsur e që të përgjërohet Ty, rob në dorën Tënde, që të lutet Ty me zjarr, që beson në Ty, i përlotur para fytyrës Sate, që të thërret Ty e të kërkon Ty, duke thënë:

O Zot, Perëndia im! Më dhuro mirësinë Tënde për t'u shërbyer të shumëdashurve të Tu, më forco në shërbimin ndaj Teje, ndriçoje ballin tim me dritën e adhurimit në oborrin Tënd të shenjtërisë dhe të lutjes për mbretërinë Tënde të madhështisë. Më ndihmo të jem vetëmohues në hyrjen qiellore të portës Sate, dhe më përkrah që të shkëputem nga të gjitha gjërat brenda rrethinave të Tua të shenjta. Zot! Më jep të pi nga kupa e vetëmohimit; më vish me rrobën e tij dhe më zhyt në oqeanin e tij. Më bëj si pluhur në shtegun e të dashurve të Tu dhe bëj që unë të ofroj shpirtin tim për dheun e fisnikëruar nga hapat e të zgjedhurve të Tu në shtegun Tënd, O Zot i Lavdisë më të Lartë.

Me këtë lutje shërbëtori Yt të thërret Ty, në të gdhirë të ditës e në kohë nate. Plotësoje dëshirën e zemrës së tij, O Zot! Ndriçoje zemrën e tij, gëzoje gjoksin e tij, ndize dritën e tij, që ai t'i shërbejë Kauzës Sate e shërbëtorëve të Tu.

Ti je Dhuruesi, i Mëshirshmi, Më Bujari, i Hirshmi, Mëshiruesi, Zemërdhembshuri!

'Abdu'l-Bahá