Natë
O Perëndia im, Mjeshtri im, Qëllimi i dëshirës sime! Ky, shërbëtori Yt, kërkon të flejë nën strehën e mëshirës Sate dhe të pushojë nën tendën e mirësisë Sate, duke u lutur t'i japësh kujdesin Tënd e mbrojtjen Tënde.
Unë të lutem Ty, O Zoti im, për syrin Tënd që nuk fle, t'i ruash sytë e mi nga soditja e çdo gjëje tjetër veç Teje. Forcoje, pra, pamjen e tyre, që të mund të shquajnë shenjat e Tua dhe të shikojnë Horizontin e Revelacionit Tënd. Ti je Ai, para revelacionit të gjithëfuqisë së të Cilit është dridhur thelbi i pushtetit.
Nuk ka Perëndi veç Teje, Fuqiplotit, Gjithënënshtruesit, të Pakushtëzuarit.
Si mund të zgjedh gjumin, O Perëndi, Perëndia im, kur sytë e atyre që dëshirohen për Ty janë të hapur për shkak të ndarjes prej Teje; dhe si mundem unë të prehem, ndërsa shpirtrat e të dashurve të Tu janë të shqetësuar sepse ndodhen larg pranisë Sate?
Unë i kam vendosur, O Zoti im, shpirtin dhe qenien time të brendshme në anën e djathtë të fuqisë Sate e të mbrojtjes Sate, dhe e kam mbështetur kokën mbi jastëkun tim përmes pushtetit Tënd dhe e kam ngritur sipas vullnetit Tënd e pëlqimit Tënd. Ti je, me të vërtetë, Ruajtësi, Mbajtësi, Fuqiploti, Më i Pushtetshmi.
Për fuqinë Tënde! Nuk dua tjetër gjë, kur fle ose jam zgjuar, veç asaj që dëshiron Ti. Unë jam shërbëtori Yt e në duart e Tua. Ki mirësinë e më ndihmo të bëj atë që do të përhapë aromën e pëlqimit Tënd. Kjo, me të vërtetë, është shpresa ime dhe shpresa e atyre që gëzojnë afrinë Tënde. Lëvduar qofsh Ti, O Zot i botëve!
Mesnatë
O kërkues i së Vërtetës! Po qe se dëshiron që Perëndia të t'i hapë sytë, duhet t'i përgjërohesh Perëndisë, t'i lutesh Atij dhe të komunikosh me Të në mesnatë, duke thënë:
O Zot, e kam kthyer fytyrën ndaj Mbretërisë Sate të njëshmërisë dhe jam zhytur në detin e mëshirës Sate. O Zot, ndriçoje vështrimin tim me soditjen e dritave të Tua në këtë natë të errët dhe më bëj të lumtur me verën e dashurisë Sate në këtë periudhë të mahnitshme. O Zot, më bëj që të dëgjoj thirrjen Tënde dhe hapi përpara meje dyert e qiellit Tënd, që të mund të shoh dritën e lavdisë Sate dhe të më tërheqë bukuria Jote.
Me të vërtetë, Ti je Dhënësi, Zemërgjeri, i Mëshirshmi, Falësi.