Mëngjes

O Perëndia im dhe Mjeshtri im! Unë jam shërbëtori Yt e bir i shërbëtorit Tënd. Unë u ngrita nga shtrati në këtë vakt mëngjesi, kur Ylli i Ditës i Njëshmërisë Sate ka shkëlqyer nga Agimi i vullnetit Tënd, duke derdhur shkëlqimin e vet mbi botën mbarë, në përputhje me atë që është urdhëruar në Librat e Dekretit Tënd.

Lëvduar qofsh Ti, O Perëndia im, që u zgjuam për shkëlqimet e dritës së dijes Sate. Dërgo, pra, mbi ne, O Zoti im, atë që do të na bëjë të aftë të lëmë mënjanë këdo veç Teje, të shkëputemi nga dashuria për cilindo veç Teje. Veç kësaj, shkruaj për mua dhe për ata që janë të shtrenjtë për mua, për farefisin tim, burra a gra qofshin, mirësitë e kësaj bote dhe të botës që do të vijë. Na ruaj shëndoshë e mirë me anë të mbrojtjes Sate të sigurt, O Ti i Shumëdashuri i gjithë krijimit dhe Dëshira e mbarë universit, nga ata që ti i ke bërë manifestime të Pëshpëritësit të Mbrapshtë, të cilët pëshpërisin në gjokset e njerëzve. I pushtetshëm je Ti për të bërë ashtu si të pëlqen. Ti je, me të vërtetë, Fuqiploti, Ndihma në Rrezik, i Vetëqenëshmi.

Bekoje, O Zot Perëndia im, Atë Që Ti e ke vendosur mbi Titujt e Tu më të shkëlqyer dhe nëpërmjet të Cilit Ti ke ndarë të mirët e të liqtë dhe na ke ndihmuar me dashamirësi të bëjmë atë që do e dëshiron Ti. Bekoji, gjithashtu, O Perëndia im, ata Që janë Fjalët e Shkronjat e Tua dhe ata që i kanë kthyer fytyrat ndaj Teje, që janë kthyer nga fytyra Jote dhe kanë dëgjuar Thirrjen Tënde.

Ti je, me të vërtetë, Zoti e Mbreti i gjithë njerëzve dhe ke pushtet mbi të gjitha gjërat.

Bahá'u'lláh

U zgjova nën strehën Tënde, O Perëndia im, dhe u bëra ai që e kërkon këtë strehë brenda Tempullit të mbështetjes Sate e Fortesës së mbrojtjes Sate. Ndriçoje qenien time të brendshme, O Zoti im, me shkëlqimet e Agimit të Revelacionit Tënd, ashtu siç ke ndriçuar qenien time të jashtme me dritën mëngjesore të favorit Tënd.

Bahá'u'lláh