Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve

"Juve ju është kërkuar të bëni një festë një herë në muaj, edhe sikur aty të shërbehet vetëm ujë. Perëndia në të vërtetë ka për qëllim t'i lidhë zemrat e njerëzve së bashku, si me mjete tokësore dhe me mjete qiellore." Bahá'u'lláh, Kitab-i Akdas
"…Kur shkoni në mbledhje, para se të hyni atje çlirojeni vetveten nga gjithçka që keni në zemër, çlirojini mendjen dhe mendimet tuaja nga gjithçka tjetër veç Perëndisë, dhe folini zemrës suaj. Të gjitha këto mund ta bëjnë atë një mbledhje të dashurisë, ta bëjnë atë shkak ndriçimi, ta bëjnë një takim të tërheqjes së zemrave, ta rrethojnë këtë takim me Dritat e Grupimit Suprem, në mënyrë që ju të mblidheni së bashku me dashurinë më të madhe."

O Perëndi! Largoji të gjithë ata elementë që janë shkak mosmarrëveshjeje dhe përgatit për të gjithë ne ato gjëra që sjellin unitet e harmoni! O Perëndi! Zbrit mbi ne Aromat Qiellore dhe ktheje këtë takim në një takim të Qiellit! Na jep neve çdo përfitim e çdo ushqim. Përgatit për ne Ushqimin e Dashurisë! Na jep neve Ushqimin e Dijes! Dhurona Ushqimin e Ndriçimit Qiellor!

'Abdu'l-Bahá

Kujtojini këto gjëra në zemrat tuaja, dhe pastaj hyni në Festën e Unitetit.

"Secili prej jush duhet të mendojë si t'i bëjë të lumtur e të kënaqur anëtarët e tjerë të Asamblesë suaj, dhe secili duhet t'i konsiderojë të gjithë ata që janë të pranishëm si më të mirë e më më të mëdhenj sesa vetja e tij, dhe secili duhet ta konsiderojë veten si më pak se të tjerët. Njiheni pozitën e tyre si të lartë dhe mendojeni pozitën tuaj si të ulët. Sikur ju të veproni e të jetoni sipas këtyre kërkesave, dijeni me të vërtetë e me siguri se ajo Festë është Ushqimi Qiellor. Se ajo Darkë është 'Darka e Zotit!' Unë jam shërbëtori i atij takimi."
…Edhe nëse ekziston ftohtësia më e vogël midis shpirtrash të caktuar - mungesë dashurie - kjo duhet zhdukur krejtësisht. Duhet të ketë transparencë e pastërti maksimale qëllimesh…
Sa për Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, ajo gëzon mendjen dhe zemrën. Në qoftë se kjo Festë bëhet si duhet, miqtë, një herë në nëntëmbëdhjetë ditë, do ta ndiejnë veten shpirtërisht të rimëkëmbur dhe do të fitojnë një fuqi që nuk është e kësaj bote.

Udhëzime të 'Abdu'l-Bahá-it nga Përpilimi për Mbledhjet
Bahá'í dhe Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve nga
Shtëpia Universale e Drejtësisë.