Shkëputja

O Zot! Ty të drejtohem për strehë dhe ndaj të gjitha shenjave të Tua e ktheva zemrën.

O Zot! Qoftë kur jam në udhëtim ose në shtëpi, në punë ose në profesionin tim, unë tërë besimin e mbështes tek Ti.

Më jep, pra, ndihmën Tënde të mjaftueshme, që të më bësh të pavarur nga të gjitha gjërat, O Ti që je i pakapërcyeshëm në mëshirën Tënde!

Jepmë mua pjesën time, O Zot, sa të dëshirosh Ti, dhe bëj që unë të kënaqem me atë që Ti ke caktuar për mua.

Ty të takon autoriteti absolut për të urdhëruar.

Báb

O Perëndia im, Zoti im dhe Mjeshtri im! Unë e kam shkëputur veten nga të afërmit e mi dhe kam kërkuar nëpërmjet Teje të bëhem i pavarur nga gjithçka që jeton mbi tokë, gjithmonë i gatshëm të marr atë që është e lavdërueshme në sytë e Tu. Më dhuro një mirësi të tillë që të më bëjë të pavarur nga gjithçka tjetër veç Teje, dhe më jep një pjesë më të madhe nga favoret e Tua të pakufishme. Me të vërtetë Ti je Zoti i hirit të pashtershëm.

Báb