Për të vdekurit
Kjo lutje duhet përdorur nga Bahá'í-të mbi moshën pesëmbëdhjetë vjeç. "Është e vetmja lutje e detyrueshme Bahá'í që duhet thënë në grumbullime; duhet të thuhet nga një besimtar, ndërsa gjithë të pranishmit qëndrojnë në këmbë. Nuk kërkohet të kthehet fytyra drejt Kiblës kur thuhet kjo lutje." Kitab-i Akdas
O Perëndia im! Ky është shërbëtori Yt e bir i shërbëtorit Tënd, që ka besuar në Ty e në shenjat e Tua dhe e ka kthyer fytyrën ndaj Teje, krejt i shkëputur nga gjithçka veç Teje. Ti je, me të vërtetë, më i mëshirshmi ndër ata që tregojnë mëshirë.
Merru me të, O Ti Që i fal mëkatet e njerëzve dhe i fsheh gabimet e tyre, siç i ka hije qiellit të bujarisë Sate dhe oqeanit të mirësisë Sate. Lejoje atë të hyjë brenda kufijve të mëshirës Sate të lartë, që ka qenë para themelimit të tokës e të qiellit. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Gjithmonëfalësit, Më Fisnikut.
Pastaj le të përsërisë gjashtë herë përshëndetjen "Alláh-u-Abhá", dhe pastaj të përsërisë nëntëmbëdhjetë herë secilin prej vargjeve që vijojnë:
Ne të gjithë, me të vërtetë, adhurojmë Perëndinë.
Ne të gjithë, me të vërtetë, përulemi para Perëndisë.
Ne të gjithë, me të vërtetë, jemi të përkushtuar ndaj Perëndisë.
Ne të gjithë, me të vërtetë, i thurim lavde Perëndisë.
Ne të gjithë, me të vërtetë, falënderojmë Perëndinë.
Ne të gjithë, me të vërtertë, jemi të duruar në Perëndinë.
(Në qoftë se e ndjera është grua, ai të thotë: Kjo është shërbëtorja Jote dhe bijë e shërbëtores Sate, etj...)
Lavdia qoftë mbi Ty, O Zot, Perëndia im! Mos e poshtëro atë që Ti e ke lartësuar përmes fuqisë së sovranitetit Tënd të përjetshëm dhe mos e largo prej Teje atë që Ti e ke bërë të hyjë në faltoren e përjetësisë Sate. A do ta flakësh tutje, O Perëndia im, atë që Ti e ke strehuar nën Pushtetin Tënd dhe a do të largohesh Ti, O Dëshira ime, prej atij për të cilin Ti ke qenë mbrojtje? A mund ta ulësh Ti atë që e ke ngritur lart, apo të harrosh atë që Ti e ke bërë të aftë për të të kujtuar Ty?
I lavdëruar, pafundësisht i lavdëruar je Ti! Ti je Ai që përjetësisht ke qenë Mbreti i gjithë krijimit e Lëvizësi i Parë, dhe Ti do të mbetesh në përjetësi Zoti i të gjitha krijesave dhe Urdhëruesi i tyre. I lavdëruar je Ti, O Perëndia im! Nëse Ti pushon së qeni i mëshirshëm me shërbëtorët e Tu, kush pra do të tregojë mëshirë për ta; dhe nëse Ti refuzon t'i ndihmosh të dashurit e Tu, kush mund t'i ndihmojë ata?
I lavdëruar, pafundësisht i lavdëruar je Ti! Ti je i adhuruar në të vërtetën Tënde, dhe Ty, me të vërtetë, të adhurojmë ne të gjithë; Ti shfaqesh në drejtësinë Tënde dhe për Ty dëshmojmë, me të vërtetë, të gjithë ne. Ti je, vërtet, i shumëdashur në mirësinë Tënde. Nuk ka tjetër Perëndi veç Teje, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit.
O Perëndia im! O Ti falësi i mëkateve! Dhënësi i dhurëtive! Larguesi i brengave!
Me të vërtetë, unë të lutem t'i falësh mëkatet e atyre që e kanë braktisur veshjen fizike dhe janë ngjitur në botën shpirtërore.
O Zoti im! Pastroji ata nga gabimet, largoji hidhërimet e tyre dhe ktheje errësirën e tyre në dritë. Bëj që ata të hyjnë në kopshtin e lumturisë, pastroji ata me ujin më të kulluar dhe bëji të shikojnë shkëlqimet e Tua mbi malin më të lartë.
"Vdekja i ofron çdo besimtari besnik kupën që është jeta e vërtetë…Ajo dhuron dhuntinë e jetës së përjetshme." Bahá'u'lláh, Qëmtime 165